NJOFTIM për kthimin e subvencioneve të paguara për duhanin

Të nderuar,

Duke marrë parasysh informacionet e publikuara në media lidhur me kthimin e subvencioneve të paguara për duhanin e prodhuar dhe të dorëzuar, dëshirojmë që si Agjenci për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, e cila është kompetente për pranimin e kërkesave për pagesën e subvencioneve, përpunimin e tyre, realizimin e kontrolleve (administrative dhe në terren) dhe në fund pagesën, t’ju informojmë se:

Pretendimet nga ana e prodhuesve të duhanit, të cilëve u janë paguar subvencione dhe tani u kërkohet kthimi i mjeteve, ndërsa ata nuk e dinin arsyen, nuk janë të sakta. Në çdo vendim të përgatitur është shënuar saktësisht ku dhe në çfarë përqindjeje ka devijim ndërmjet asaj që ka deklaruar bujku dhe gjendjes reale të konstatuar në terren.

Kështu, me kontrollet e fundit të realizuara, për nënmasën 1.9 “Pagesa direkte për duhan oriental aromatik, të papërpunuar, të kontraktuar dhe të shitur nga korrja e vitit 2024” nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2025, janë konstatuar dallime tek gjithsej 91 prodhues duhani. Sipas Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, janë përgatitur vendime për kthimin e mjeteve në shumën totale prej 20.962.193 denarë.

Që shërbimet të jenë të sigurta në vendimet e marra, Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural realizoi kontroll shtesë, me ç’rast u konstatua se tek një pjesë e prodhuesve të duhanit ekziston dallim më i madh se 30% ndërmjet kapaciteteve të paraqitura dhe kapaciteteve të konstatuara gjatë kontrolleve.

Ndërsa, në përputhje me nenin 53, alineja 4 e Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, “nëse gjatë kontrollit në vend konstatohet se madhësia e sipërfaqes së tokës bujqësore është më e vogël për 30%-50% nga madhësia e sipërfaqes së deklaruar në kërkesën për pagesa direkte, ekonomia bujqësore përjashtohet plotësisht nga përdorimi i pagesave direkte për atë vit.”

Për arsyen pse janë paguara subvencione për të cilat tani kërkohet kthimi i mjeteve, përgjegjësia bie vetëm mbi vetë bujqit, të cilët nuk i plotësojnë realisht aplikacionet dhe kështu e vënë në pikëpyetje ndihmën shtetërore. Duke pasur parasysh se pagesa e subvencioneve sipas programit të miratuar duhet të realizohet deri në dhjetor të vitit aktual, por vetëm me qëllim që t’u dilet në ndihmë prodhuesve të duhanit, subvencionet u janë paguar në muajin prill 2025. Vetëm më 10 korrik 2025 ka filluar dorëzimi i kërkesave të vetme sipas sipërfaqes/kokës së bagëtisë nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2025, pas së cilës kanë filluar edhe kontrollet e rregullta, ku shërbimet që kanë obligim t’i mbështesin të gjitha aplikacionet me dëshmi nga terreni, kanë konstatuar dallime mbi 30% nga ajo që ishte deklaruar.

Në fund, dëshirojmë të sqarojmë edhe një herë, dhe shpresojmë se edhe shoqatat e bujqve nga të gjitha degët e dinë, janë të informuara dhe duhet t’i informojnë me kohë anëtarët e tyre, se subvencionet nuk lidhen me korrjen, por me kapacitetet e deklaruara gjatë vitit aktual 2025, i cili aktualisht është kontestues për 91 prodhues duhani.